Tifozët e Kombëtares braziliane nuk e kanë kapërdirë barazimin e skuadrës së tyre kundër Zvicrës të dielën në Kupën e Botës, dhe për më tepër kanë reaguar ashpër ndaj Valon Behramit, mesfushorit me origjinë shqiptare që luan prej 13 vitesh me Zvicrën, të cilin e akuzojnë se është treguar shumë i ashpër me yllin e tyre, Nejmar.
Futbollisti shqiptarë me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, për gjatë 60 minutave sa ishte në fushë markoi mjaft mirë yllin e Paris Sen Zhermenit, duke mos i lënë shumë hapësira për të manovruar para portës zviceriane, ku si rezultat në fund “helvetët” arritën të nxjerrin një barazim 1:1.
Mirëpo një gjë e tillë nuk u ka pëlqyer tifozëve brazilian, të cilët madje kanë shkuar shumë larg, duke kërcënuar me jetë mesfushorin e Udinezes.
Siç raporton media zvicerane “Ëatson.ch”, Behrami është vërshuar nga komentet në profilin e tij të “Instagramit” nga tifozët brazilianë, disa prej të cilëve e kanë kërcënuar edhe me vdekje.
“Nëse do të vish në pushime në Brazil, do të të mbysim”, shkruante një brazilian në drejtim të Behramit.
Ndërkaq, një tjetër kërcënues shkruante: “Ti je në listën e zezë të Brazilit”.
Por, kishte edhe nga ata që i thoshin Behramit se “nëse ke pasur punë me Nejmarin, atëherë do kesh punë me tërë Brazilin”.
Komente të tifozëve brazilianë pati edhe në drejtim të së dashurës së Behramit, Lara Gutt, në profilin e së cilës po ashtu vërshuan komentet negative të brazilianëve.