Dështimi i Gjermanisë përballë Meksikës ka rritur oreksin e skuadrave të vogla të grupit, të cilat mendojnë se tani kanë realisht shanse për të kaluar më tej, Ndaj dueli mes Suedisë dhe Koresë së Jugut mund të jetë vendimtar për të përcaktuar se kush do t’i bashkohet Meksikës si rivali më i mundshëm i gjermanëve.
SUEDIA
Për suedezët, ndeshja e sotme pritet prej 12 vitesh. Edhe pse me Zlatan Ibrahimoviç në përbërje, ata nuk marrin pjesë në Kupën e Botës që nga viti 2006 dhe çuditërisht e siguruan turneun pa sulmuesin që ka zënë vendin kryesor në dekadën e fundit.
Suedezët nuk duhen nënvlerësuar, pavarësisht mungesës së yllit të tyre, pasi kanë siguruar me forcë biletën në turne, duke u përballur me Francën e Holandën e grupe, e më pas duke kaluar në play-off Italinë.
Shqetësimi kryesor mbetet forma me të cilën vjen ekipi në këtë turne, pasi skuadra e drejtuar nga Anderson nuk ka fituar asnjë ndeshje që nga ai sukses ndaj Italisë në nëntor dhe nuk ka shënuar në asnjë prej tre miqësoreve të fundit para Botërorit. Në dy barazimet pa gola, ndaj Danimarkës dhe Perusë, ekipi regjistroi në total 2 gjuajtje në portë.
Në fakt, që kur mundën 8-0 Luksemburgun për të siguruar pjesëmarrjen në play-off, suedezët kanë shënuar vetëm 2 gola në 7 ndeshje të njohura nga FIFA, statistikë që duhet të përmirësojnë nëse duan të vazhdojnë në këtë turne. Edhe historia nuk i ndihmon, pasi ata nuk kanë arritur të fitojnë ndeshjen e parë në turne në 7 edicionet e fundit, që nga viti 1958, kur arritën deri në finale ku u mundën nga Brazili i Pele.
Gjithsesi, në tre turnetë e fundit që kanë marrë pjesë, suedezët kanë kaluar fazën në grupe dhe që nga viti 1990, nuk humbin një ndeshje në këtë fazë.
KOREJA E JUGUT
Kjo përfaqësuese po kthehet në një “veterane” të Kupës së Botës, pasi sot shënojnë herën e 9 radhazi në të cilën marrin pjesë në turne. Vetëm Brazili, Gjermani, Argjentina dhe Spanja kanë një seri aktive më të mirë se koreanët.
Gjithsesi, të gjithë i shohin si skuadra më e dobët e grupit, edhe për shkak të renditjes shumë larg rivalëve në klasifikimin e FIFA-s, ku pozicionohen në vendin e 57. Edhe ecuria drejt turneut nuk ka qenë më e mira, duke fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e fundit që kanë luajtur, përfshirë ato ndaj Polonisë dhe Senegalit. Në dy ndeshjet e fundit, skuadra aziatike nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, pikërisht ashtu si kundërshtari i radhës.
Të gjitha shpresat e përfaqësueses varen te ylli i Totenhem, Son, të cilit i kërkohet të prodhojë mrekulli që të sigurojë kalimin në turin tjetër të ekipit. Trajneri Shin Tae-Jong nga ana tjetër ka pasur vështirësi të mëdha në rrugëtimin drejt Rusisë, i emëruar para dy ndeshjeve të fundit kualifikuese, pasi Federata shkarkoi gjermanin Uli Shtilike pas humbjes me Katarin. Dy ndeshjet e fundit rezultuan dy barazime pa gola ndaj Iranit e Uzbekistanit, që mjaftuan gjithsesi për të siguruar pjesëmarrjen në turne.
FORMACIONET E MUNDSHME |
Suedia: Olsen; Lustig, Grankvist, Lindelof, Augustinson; Klaeson, Larson, Ekdal, Forsberg; Berg, Toivonen |
Koreja e Jugut: Kim Seung-giu; Li Jong, Kim Joung-guon, Jang Hjun-so, Park Jo-ho; Ki Sung-jueng, Jung Uo-joung; Huang Hi-çan, Li Jae-sung, Son Heung-min; Kim Shin-uok |
PROTAGONISTËT
Anderson ka ende mëdyshje rreth rreshtimit për ndeshjen hapëse, pasi Markus Berg dhe Ola Taivonen nuk është se kanë shkëlqyer në sfidat para Botërorit sa i përket fazës sulmuese.
Qendra e mbrojtjes do të jetë nën kontrollin e Lindelof të Mançester Junajtid, ndërsa vend do të ketë edhe për Lustig apo Sebastian Larson, i cili ka shënuar 100 ndeshje me përfaqësuesen.
Gjithsesi, rreziku kryesor për mbrojtjet kundërshtare është Emil Forsberg, i cili ka shkëlqyer në sezonet e fundit me Lajpcig në Bundesligë ndaj pritet me shumë interes debutimi i tij në Botëror.
Te Koreja, shihni se si gjithçka do të kalojë nga këmbët e Son, ndonëse finalizuesi më i mirë është Ko Ja-çeol, i cili ka shënuar 19 gola me fanellën e përfaqësueses.
Ish-mesfushori i Suonsit, Ki Sung-jueng, është lojtari më me shumë eksperiencë, me 102 ndeshje të luajtura. (vipsport.al)