Ardian Cuculi prej sot edhe zyrtarisht nuk është pjesë e Shkëndijës. Futbollisti kërçovarë për tre vite rradhazi ishte pjesë e “kuqezinjëve”, me të cilët këtë edicion fitoi të dy titujt, atë të kampionatit si dhe Kupën. Si destinacion i tij i rradhës përmendet Superliga shqiptare, mirëpo kësaj rradhe në skenë ka dalë Kukësi, që këtë vit do të prezantojë Shqipërinë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, për shkak dënimit të Skënderbeut.
Edhe pse për shërbimet e tij interesohet edhe ish skuadra e tij, Partizani, si duket projekti dhe puna që po bënë trajneri Pakult bashkë edhe me drejtorin e palodhshëm sportiv, shkupjanin Nderim Nexhipi te Kukësi, mund të bindin Cuculin për tu veshur “kaltër e bardhë” dhe ti thotë po skuadrës nga verilindja e Shqipërisë.
30-vjeçari sezonin e fundit luajti në 30 ndeshje kampionale me Shkëndijën, duke shënuar edhe një gol, teksa gjithashtu bëri edhe 7 paraqitje në ndeshjet eliminatore të Liga Europa.
Cuculi edhe më herët ka qenë pjesë e Shkëndijës, me të cilën skuadër ka fituar gjithashtu edhe titullin e parë kampion të vitit 2011 si dhe Kupën dhe Superkupën e parë gjatë vitit 2016-të.
Ai me Shkëndijën numëron gjithsej 224 ndeshje dhe 5 gola të shënuar, ndërkohë në Superligën shqiptare brenda një sezoni të kaluar me Partizanin e tij kishte zvilluar plotë 36 ndeshje, duke shënuar edhe një gol.