Egjipti e nisi me humbje aventurën e tij në Botërorin e “Rusi 2018”, pasi u mund 1:0 nga Uruguai, me një gol të pësuar në minutën e 89-të, atëherë kur mendohej se sfida po mbyllej me një barazim pa gola.
Por përveç humbjes, ajo që ra në sy ishte mungesa në fushë e një prej futbollistëve më të mirë në botë, sulmuesit egjiptian Mohamed Sallah.
Trajneri i ekipit afrikan, Hektor Kuper, në lidhje me mosaktivizimin e futbollistit të Liverpullit, tha: “Sallah nuk luajti, pasi nuk dëshironim ndonjë dëmtim tjetër, ndonjë surprizë të hidhur në fushë”.
Më tej, trajneri tha: “Unë mendoj se ai do të ketë edhe 3-4 ditë kohë për të rikuperuar 100% dhe do të jetë gati për ndeshjen tjetër. Sakrifikuam për ta patur në dispozicion në takimin e radhës. Deri dje mendonim se do të ishte në fushë. Por kur Mohamed bëri një analizë të fundit të gjendjes fizike, dolën disa dyshime dhe situata u përmbys. Patëm frikë se mos dëmtohej sërish, ndaj nuk donim të rrezikonim. Ne kemi nevojë për të”.
“Sallah do të jetë në fushë në dy ndeshjet e radhës, ndaj Aradisë Saudite dhe Rurisë, pasi ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, kjo nuk mohohet. Por, njëkohësisht, kemi nevojë edhe për një skuadër të shëndetshme dhe të fortë. Ndoshta Mohamed edhe mund të luante, por do të ishte e rrezikshme për të dhe skuadrën. Kjo është një enigmë që nuk do ta mësojmë kurrë”, theksoi Hektor Kuper.
Sallah pritet të jetë i gatshëm për sfidën e dytë të Egjiptit me 19 qershor kundër nikoqirëve të Rusisë.
Rikujtojmë këta të fundit e nisën furrishëm këtë botëror, duke mundur me rezultatin e thellë 5:0 kombëtaren e Arabisë Saudite.