Golashënuesi më i mirë i FC Shkupit sezonin që lamë pas, Alen Jasharovski karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Superligën e Kosovës, duke iu bashkuar skuadrës së njohur të FC Prishtinës, njofton “infOSport.mk”.
Jasharovski me skuadrën nga kryeqendra kosovare ka nënshkruar kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
26-vjeçari Jasharovski sezonin e fundit me ekipin “bardhekaltër” nga Çairi në 35 ndeshje regjistroi 13 gola dhe 5 asistime, duke qenë një ndër më të merituarit që FC Shkupi në fund arriti që të sigurojë një vend për në ndeshjet eliminatore të Liga Europa. Në mungesë të ndeshjeve europiane me FC Shkupin, Jasharovski një gjë të tillë do të bëjë me Prishtinën, skuadër kjo që me 28 qershor do të zhvillojë ndeshjen e parë të rundit preliminar të Liga Europa kundër skuadrës së Europa FC nga Gjibraltari.