Shkëndija nisi përgatitjet pa Ferhan Hasanin dhe Ardian Cuculin

Shkëndija prej sot edhe zyrtarisht nisi përgatitjet për sezonin e ri, ku fillimisht “kuqezinjtë” nga Tetova i presin sfidat eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”. Në grumbullimin e parë të kampionëve në fuqi vërehej mungesa e kapitenit Ferhan Hasani, emri i të cilit lidhet ngushtë me një transferim në Turqi, ndërsa gjithashtu mungoi edhe zëvendës kapiteni, Ardian Cuculi.

Pjesë e këtij grumbullimi ishin dy përforcimet e reja, Remzifaik Slemani dhe Konstantin Çeshmexhiev, si dhe disa futbollistë të rinj, që vijnë nga skuadra e të rinjëve.

Ashtu si në vitet e kaluara edhe tani në ditët e para futbollistët do të kryejnë matjet e nevojshme parasezonale për të vlerësuar gjendjen momentale të secilit, për të ndjekur më pas në vazhdimësi progresin që do të arrihet gjatë fazës përgatitore.

Të hënën dhe të martën ekipi i ndarë në dy grupe do të kryejë testimet mjekësore në një ordinancë profesionale në Prishtinë, ndërsa nga e mërkura nis puna me nga dy seanca stërvitore në ditë. E premtja parashihet ditë e lirë për shkak të festës së Bajramit, ndërsa nga e shtuna pritet ngritja e tempos dhe ngarkesës në stërvitje. Prej 20 qershor deri më 2 korrik ekipi do të qëndrojë në Rogashka Sllatina të Sllovenisë ku do të zhvillohet faza kryesore përgatitore, ndërsa janë paraparë tre deri katër ndeshje kontrolluese.

Shkëndija më 19 qershor do të mësojë emrin e rivalit me të cilin do të përballet në xhiron e parë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve Europian.

Leave a Reply