Më quajnë legjendë, por emrin e kam Fadil Vokrri! Legjendat nuk harrohen kurrë, ashtu sikurse edhe veprat e tyre.
Vokrri kishte bërë shumë për futbollin e Kosovës, por ne kemi përmbledhur nëntë veprat që nuk do t’ia harrojmë asnjëherë figurës historike të sportit kosovar.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri iku dhe na la në momentet më të mira të sportit të futbollit. Vokrri na la kur futbolli në Kosovë po zhvillohej shumë dhe liga po bëhej gjithmonë e më interesante, ai iku dhe na la në momentin kur Kombëtarja e Kosovës filloi të bënte hapat e parë dhe humbjet ishin të papranueshme më për ‘Dardanët’. Tani duhet ta pranojmë që Vokrri ka shkuar dhe fizikisht nuk do të kthehet më, mirëpo ai do të jetë gjithmonë ‘prezent’ në sukseset dhe dështimet e futbollit kosovar. Veprat që ai na ka lënë janë të shumta, por disa prej tyre nuk do të harrohen lehtë.
Fadil Vokrri ka lënë pas vetës disa vepra që askush nuk mund t’i harrojë. Vokrrin në jetë e ka përcjellur githmonë numri 9. Vokrri mbante numrin nëntë në fanellë, kaloi nëntë vite në krye të FFK-së, ndërroi jetë me datën 9 qershor, rreth orës 9:30.
Vokrri ishte shumë i suksesshëm në sport, sikur në rolin e futbollistit ashtu edhe në rolin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
GazetaBlic ju sjell nëntë vepra të Fadil Vokrrit që tifozët kurrë nuk do t’ia harrojnë.
- Vokrri emrin e tij e formoi si futbollist. Ai ishte një sulmues i jashtëzakonshëm, i cili mund të kishte luajtur edhe për ekipet më të mëdha të botës po të mos kishte ekzistuar ligji i Jugosllavisë. Vokrri e kishte filluar karrierën e tij në skuadrën e vendlindjes, KF LLapi si 17 vjeçar, për t’u transferuar më pas në KF Prishtina dhe për të shkruar historinë ashtu siç vetëm ai ka ditur. Në vitin 1980 kaloi tek KF Prishtina, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë. Më pas në Ligën e Parë të Jugosllavisë, me fanellën e Prishtinës realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80’ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në këtë Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola
- Pasi kaloi momente të paharrueshme në Kosovë – ishte koha që Vokrri të largohej nga KF Prishtina, pasi ai mendonte se nuk kishte se çfarë t’i dhuronte më shumë ekipit të Prishtinës. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit, ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
- Në vitin 1989 Vokrri kaloi edhe në arenën më të madhe evropiane, duke luajtur kështu në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahce ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Në të gjithë këtë kohë, Vokrri prezantoi gjithmonë kualitetin e futbollit shqiptar në çdo klub ku ai ka luajtur.
- Fadil Vokrri i dha fund karrierës së tij në vitet 1995-96. Pas asaj kohe, Vokrri mori drejtimin e një klubi të ligës së dytë franceze. Vokrri më pas u kthye të jetonte në Kosovë, ku edhe filloi të merrej edhe më shumë me sportin në vendin tonë. Ai mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 2008 – duke premtuar shumë për sportistët, premtime të cilat i realizoi.
- Vokrri pas shumë lobimeve me FFK në vitin 2014 arriti të organizonte ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare me lejen e FIFA-s në stadiumin ‘Adem Jashari’ kundër Haitit, e cila kishte përfunduar 0-0. Çfarë atmosfere në stadium, çfarë emocioni nga krerët e FFK-së dhe lojtarët, ishte diçka e jashtëzakonshme. Të gjithë e pritën këtë, nuk ishim as të pranuar, por kishim një kombëtare që po luan në shtëpi një ndeshje miqësore. Nuk ishte ndeshje e vleshme, por vetëm miqësore – mirëpo kjo ishte diçka që kurrë nuk do të harrohet. Fytyrat e buzëqeshura të qytetarëve dhe tifozëve thonin shumë. Të gjithë e ndjenin se diçka e mirë po vjen dhe në fakt ashtu ndodhi…
- Atë që gjithmonë e premtoi, Vokrri e realizoi. Ai nuk i thyente fjalët e dhëna dhe këtë e dëshmoi në vitin 2016. Vokrri udhëhoqi delegacionin e Kosovës në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, për të shënuar thyerjen e izolimit të futbollit kosovar një herë e përgjithmonë. Fadil Vokrri cilësohet si personi më meritor që kombëtarja jonë luan në kualifikime dhe që klubet mund të provojnë të luajnë në Evropa Ligë apo edhe Ligën e Kampionëve.
- Pas pranimit në UEFA e FIFA, Vokrri kishte një mision – FORMIMIN e skuadrës. Atë e filloi që nga dita e parë duke grumbulluar lojtarë të ndryshëm në ekip së bashku me trajnerin. Si për çdo kë fillimi është gjithmonë i vështirë – mirëpo këtë ‘pengesë’, legjenda e kaloi shpejtë. Kosova kishte shënuar fitoren e parë dhe historike pas pranimit në FIFA dhe UEFA ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 2-0.
- Hap pas hapi filluan që ambiciet të rriten dhe që klubi i Kosovës të forcohej dhe të luajë në kualifikimet për Botëror. Fatkeqësisht, Kosova ndodhet në një grup tepër të vështirë, ku nuk arriti më shumë se një pikë. E provuam, nuk ia dolëm – por fituam diçka, fituam eksperiencën që po na duhej dhe tani jemi gati për aventura të reja – e gjithë kjo vetëm fal të madhit, FADIL VOKRRI.
- Jo vetëm Kosova, por edhe klubet e Superligës tani janë të ‘çliruara’ dhe mund të luajnë në Evropë. Vitin e kaluar Prishtina dhe Trepça 89′ luajtën në kualifikime për arenën ndërkombëtare, por asnjëra skuadër nuk arriti që të kaloj së paku një raund. Tashmë për çdo vit klubet mund të luajnë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Europa League. FFK-ja gjithashtu ka punuar së bashku me organet për rinovimet e stadiumeve. Rinovimi i stadiumit të kryeqytetit gjithashtu shihet si një arritje shumë e madhe, pasi kur të finalizohen punimet Kosova do nuk do të ketë nevojë që t’i luajë ndeshjet në Shkodër – por do t’i luajë në kryeqytet.
Legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri ka ndërruar jetë në mëngjesin e të shtunës, pas një sulmi në zemër. Ai ishte duke bërë fitnes kur gjendja e tij u përkeqësua. Vokrri u dërgua në spitalin QKUK, por aty kishte arritur pa shenja jete. Në atë ditë të zymtë dhe të trishtë për të gjithë shqiptarët dhe futbolldashësit – ne e kuptuam se kemi humbur shumë, kemi humbur më shumë se një kryetar e futbollist, e kuptuam se kemi humbur atë që na mundësoi gjithçka dhe dhuroi të gjitha nga vetja vetëm e vetëm që një ditë sportistët tanë të jenë të ‘barabartë’ me të tjerët në Evropë.