Rafael Nadal e ka shkruar sërish emrin në librat e historisë duke e fituar për të 11-tën herë në karrierë titullin e “French Open” në Roland Garros.
Tenisti spanjoll triumfoi përballë Dominik Thiem për t’u bërë vetëm tenisti i dytë që e fiton 11-të herë të njëjtin turne të madh pas sukseseve të Margaret Court në “Australian Open”.
Që nga triumfi debutues në Paris në vitin 2005, 32-vjeçari ka dominuar në këtë garë duke humbur vetëm dy herë në karrierën e tij.
Në finalen e këtij viti, Nadal fitoi me rezultat 3-0 në sete (6-4, 6-3, 6-2) kundër tenistit austriak, Dominic Thiem.
“Dua t’i them përgëzime Dominicut dhe ekipit të tij. Ka qenë nder të luaj ndaj teje, je një lojtar i shkëlqyer. Vazhdo kështu. Të uroj të gjitha të mirat”.
“Mezi pres t’i falënderoj të gjithë pjesëtarët e ekipit tim dhe familjen time. Të gjithëve që më kanë ndihmuar secilën ditë. Pa ju, nuk është e mundur. Është gjë e bukur. Kemi kaluar momente të vështira vitin e kaluar, prandaj është një ëndërr që të jem sërish me këtë trofe”, ka deklaruar Nadal pas triumfit.