Një ndër figurat më të rëndësishme të futbollit shqiptar dhe jo vetëm, padyshim që mbetet Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë gjatë ditës së sotme në moshën 58-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e tij ka prekur jo vetëm botën e sportit, por edhe politikanët në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij, duke bërë të ditur se do të ndryshojë edhe emri i stadiumit të Prishtinës. Stadiumi që është rikonstruktuar këtë vit, do të mbajë emrin e Fadil Vokrrit.
“Një jetë plotë suksese, e duke pritur sukseset e radhës së ngritjes së përfaqësueses së Kosovës. Vështirë i zëvendësueshëm në çdo pozitë që luajti e që mbajti. I respektuar në çdo vend që jetoi. Lajm i hidhur e i rëndë. Stadiumi i qytetit me nderë do ta mbajë emrin e tij, Fadil Vokrri!”, shkruhej në postimin e Shpend Ahmetit.