Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” gjatë ditës së sotme do të zhvillohet sfida e kikboksit midis shqiptarit, Florian Marku dhe serbit, Slagjan Dragishiç.
Ashtu siç ndodh gjithmonë në prag të çdo dueli sportistët i nënshtrohen procesit të matjes së peshës për të dhënë më pas edhe një konferencë shtypi, ku Florian Marku u shfaq i bindur për fitoren e tij të rradhës në karrierë.
“Mezi po e pres këtë ndeshje dhe jam shumë i motivuar. Dëshira ime është që të përballemi në këmbë. Por ju premtoj se nëse do të ndeshemi në boks atëherë Sladjan do të flerë që në raundin e parë”, – u shpreh Marku.
Optimist para kësaj përballje u shpreh edhe serbi Dragishiç, i cili tha se në Tiranë ka ardhur i përgatitur shumë mirë dhe me synim fitoren.
“E respektoj kundërshtarin tim, Florian Markun. Por unë kam ardhur këtu i përgatitur dhe me synimin për të fituar këtë përballje. Gjithsesi ky është një sport dhe unë uroj që të fitojë më i miri”, – tha Dragisiç.
Florian Marku kishte nisur përgatitjet prej 2 muajsh në Tajlandë, ndërsa vlen te ceket se në luftat e tij të deritanishme nuk dinë për disfatë.
Dueli midis Florian Markut dhe Slagjan Dragishiç starton në ora 19:00.