Mbrojtësi Stojan Stojçevski pasi ditë më parë u largua nga rradhët e Sileksit, shumë shpejtë ka gjetur edhe skuadrën e tij të re. Shkupjani 25-vjeçar karrierën e tij vendosi ta vazhdojë te skuadra e Akademia Pandev, skuadër kjo e cila pas shumë largimeve, më në fund arriti të bëjë edhe përforcimin e parë të kësaj vere.
Stojçevski dy vitet e fundit ishte pjesë e Sileksit, te e cila skuadër ishte transferuar nga rradhët e Teteksit, ndërsa gjatë karrierës së tij, ai gjithashtu kishte luajtur edhe me Vardarin, Skopjen, Horizont Turnovën dhe Lubancin.
Te Sileksi Stojçevski shumë shpejtë u shndërrua në një lider në mbrojtje, ku sezonin e fundit ishte i pazëvendësueshëm, duke zhvilluar plotë 33 ndeshje dhe duke realizuar një gol.
Përveç tij nga Sileksi gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht u larguan sulmuesi Antonio Bujçevski dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Angelçe Timovski, i cili kishte vendosur që karrierën ta vazhdojë në Bullgari te skuadra e Botev Vraca.