Janë mësuar të gjithë emrat e kundërshtarëve të mundshëm të Vardarit në fazën e parë eliminatore të Liga Europa. Skuadra nënkampione e Maqedonisë bënë pjesë në mesin e atyre skuadrave bartëse, ashtu që në këtë fazë do të mund të nxjerrë kundërshtarë më të lehtë. Në mesin e skuadrave që mund të jenë kundërshtarë potencial të Vardarit janë edhe tre skuadrat shqiptare, Partizani i Jasir Asanit, Luftëtari dhe Laçi.
Në rast se Vardari kalon raundin e parë, skuadra shkupjane edhe në fazën e dytë eliminatore do të jetë në mesin e skuadrave bartëse, duke pasur parasysh koeficientin 5.000 që ka kjo skuadër në renditjen e UEFA-s.
Shorti në Nion të Zvicrës do të hidhet me 19 qershor, atëherë kur Vardari, por gjithashtu edhe FC Shkupi dhe Rabotniçki do të mësojnë emrat e kundërshtarëve të tyre në kuadër të fazës së parë eliminatore, por gjithashtu edhe për në fazën e dytë, gjithnjë nëse arrijnë të kalojnë pengesën e parë.