Megjithëse në start akoma, merkatoja e kësaj vere në futbollin vendor mund të cilësohet lirisht si një prej tyre që ka patur zhurmë më shumë se kurrë. Erdhi, shkoi, qëndroi, shuma marramendëse, etj. janë disa nga termet që janë shkruar kryesisht në portale këto ditë.
Ditë më parë u zhvillua ndeshja e balotazhit mes Pobedës e cila luftonte për mbijetesë në Ligen e Parë të Maqedonisë dhe Borecit që me çdo kusht kërkonte të dalë sezonin e ardhshëm në ligë të parë.
Por si duket fati ishte me klubin nga Prilepi, të cilin do ta shohim edhe sezonin e ardhshëm duke garuar në elitën e futbollit të Maqedonisë. Me të mbaruar ndeshja kanë filluar dhe kalkulimet kush do të qëndrojë serish e kush do të marrë rrugë. Altin Lloga, mesfushori strugan është njëri prej tyre i cili u përfol merkaton e dimrit me transferin që bëri nga ekipi i Struga Trim Lum i cili garon ne ligën e dytë, duke u paraqitur në rradhët e Pobedës pēr gjashtë muajt e fundit me paraqitje fantastike të cilat kanë rënë në sy të klubeve të tjera të cilat kanë shprehur interes që sezonin 2018/2019 t’i kenë shërbimet e tij në dispozicion.
I kontaktuar nga portali “infOSport.mk”, Lloga thekson se është i kënaqur me gjashtë mujorin e fundit te Pobeda:
“Them se kemi bërë një punë të mirë, personalisht jam angazhuar në maksimum duke fituar edhe besimin e trajnerit të jem titullar në shumicën e ndeshjeve. Ka gjithmonë vend për përmirësime, por duke marr parasysh se po rikthehem nga një periudhë goxha e vështirë në karrierën time, fati ka qënë në anën time. Jam i lumtur për arritjet duke shpresuar që në të ardhmen të tregoj kapacitetin tim akoma më mirë”.
I pyetur në lidhje me një transferim të mundshëm në klub tjetër, ai shprehet:
“Kontrata ime me Pobedën ka mbaruar, me është ofruar vazhdimi i së njëjtës, por jam në një fazë ku dua të pushoj dhe të mendoj për të ardhmen. Oferta ka nga klube elitare brenda dhe jashtë vendit, por ka kohë të mendoj dhe pak, gjithsesi nuk përjashtohet mundësia të qëndroj akoma te Pobeda duke qënë se jam ndjerë shumë mirë këto gjashtë muajt e fundit aty”.
Na ngelet të shohim cili do të jetë destinacioni i futbollistit që spikati këtë gjysëmsezon te Pobeda.