FC Shkupi këtë vit për herë të parë prej kur se garon me këtë emër do të luaj në ndeshjet e Liga Europa. Pa dyshim se ky është një sukses i madh i skuadrës nga Çairi, që me kryesinë e re, ëndërrën e bëri realitet dhe pas 14 viteve sërish do të jetë prezent në garat europiane (më parë garonte me emrin Sloga Jugomagnat), njofton “infOSport.mk”.
Mirëpo që të kenë një paraqitje të denjtë, drejtuesit e skuadrës shqiptare që tani kanë filluar të merren me emrat e futbollistëve të rinj, që i planifikojnë si përforcime të ardhshme. Sipas asaj që raporton “Gazetasheshi”, FC Shkupi ka vënë në shënjestër mesfushorin e Lirisë së Prizrenit, Alush Gavazaj.
Bëhet fjalë për një futbollist 23-vjeçar, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka zhvilluar në Shqipëri. Ai madje si i ri kishte filluar me ekipin e Shkëndijës nga Tirana, për të kaluar më pas te KF Tirana, ndërsa gjithashtu në Shqipëri kishte veshur edhe fanellat e skuadrave si Bylis, Tërbuni dhe Korabi, nga e cila skuadër shtatorin e vitit 2017-të kishte kaluar në rradhët e Lirisë me rekomandim të trajnerit Bledi Shkëmbi.
Gavazaj me Lirinë ka kontratë deri në fund të qershorit, ndërsa më pas mund lirisht edhe të nënshkruaj kontratën e tij të ardhshme si futbollist i lirë. Mbetet të shihet nëse skuadra e rradhës në karrierën e tij do të jetë FC Shkupi, apo ndoshta edhe Flamurtari nga Vlora, që gjithashtu ka shprehur interesim për shërbimet e këtij mesfushori difenziv.