Tirana dhe trajneri brazilian Ze Maria kanë gjetur dakortësinë për të vijuar bashkëjetesën. Ka qenë vetë klubi kryeqyetas që nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “facebook” ka njoftuar zgjatjen e kontratës edhe për dy vite, pra deri në qershor të 2020-ës.
Së bashku me teknikun 44-vjeçar kanë rinovuar edhe ndihmësi, Marco Aurelio, dhe përgatitësi atletik, Rafael Costa.
Ashtu si vetë klubi deklaron, projekti “Superiore” për 24 herë kampionët nis pikërisht nga “timonieri” Ze Maria. Ky i fundit e mori drejtimin e Tiranës në momentin më të errët të histories, duke nënshkuar një marrëveshje njëvjeçare me opsion rinovimi, megjithatë, gjithçka varej nga klubi dhe, me sa duket, presidenti Halili ka vendosur të vijojë rrugëtimin me personin që i riktheu bardheblutë në elitë. Detajet e marrëveshjes së re nuk janë bërë të njohura, por besohet se presidenca i ka rritur pagën aktuale, që është 5200 euro në muaj.
Tashmë do të nisë puna për përforcimin e grupit aktual, ku do të synohen elementë cilësorë si nga tregu shqiptar, po ashtu edhe nga ai jashtë vendit, Objektivi i bardhebluve është minimumi një vend në Europa League dhe për t’a konkretizuar Halili u ka besuar sërish njohurive të Ze Marias.