Shkëndija, hakmarrje e ëmbël ndaj Mal Ajaksit, rikthehet në Ligën e Parë të futsalit

Skuadra e Shkëndijës nga Tetova në futsal vitin tjetër do të garojë në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra tetovare sot  në Veles në ndeshjen e balotazhit mundi Mal Ajaksin me rezultatin 9:5 (5:3), duke iu hakmarrë në mënyrën më të mirë të mundshme për atë disfatë të para 4 viteve pas së cilës Shkëndija kishte rënë në Ligën e Dytë. Asaj kohe në ndeshjen e fundit kampionale Shkëndija kishte pësuar disfatë në ndeshjen direkte në Shtip,  duke humbur statusin e skuadrës elitare.

Takimi i sotshëm i balotazhit i zhvilluar në palestrën “Gemixhi” në Veles foli në tërësi  për “kuqezinjtë” nga Tetova, të cilët në asnjë moment nuk e vunë në diskutim fitoren.

Plotë 4 futbollistë të Shkëndijës shënuan nga 2 gola, edhe atë Agon Hashimi, Amir Bislimi, Meriton Alili dhe Liris Bexheti, teksa një gol tjetër shënoi edhe kapiteni Fatmir Xhelili, transmeton “infOSport.mk”.

Shkëndija sezonin e rregullt në Ligën e Dytë e mbylli në pozitën e tretë me 60 pikë, duke u renditur pas Crna Rekës dhe Gemixhi, skuadra këto që gjithashtu sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Parë, ku sërish do të kemi tre skuadra shqiptare. Përveç Shkëndijës, në Ligën e Parë do të garojnë edhe skuadra nënkampione e Futsal Shkupit si dhe fituesi i Kupës, Juventus Serava, ndërsa në mesin e më të mirëve nuk do të jetë ekipi i SEEU Tetovës.

Leave a Reply