Gjore Jovanovski mbetet në krye të Rabotniçkit edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik, njofton “infOSport.mk”. Strategu shkupjan ka arritur marrëveshje një vjeçare, me opcion që të njëjtën ta vazhdojë edhe për një vit tjetër.
Një gjë të tillë për faqen zyrtare të klubit ka bërë të ditur numri një i “romantikëve”, Dragan Popovski, i cili tha se është tepër i kënaqur me punën e bërë nga ana e trajnerit Jovanovski, me të cilin Rabotniçki arriti të sigurojë Europën.
“Me kënaqësi mund të ju themi se Gjore Jovanovski do të udhëheq skuadrën e Rabotniçkit edhe sezonin e ardhshëm. Kemi arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit për një vjet, plus një tjetër. Jemi shumë të kënaqur nga puna e tij, ai arriti që të kualifikoj skuadrën në kuadër të eliminatoreve të Liga Europa, edhe pse nuk do ta anashkalojmë edhe punën që kanë bërë trajnerët e mëhershëm, të cilën dhanë kontribut në këtë sukses të përbashkët. Tani duhet të definojmë skuadrën për sezonin e ardhshëm dhe shpresojmë në paraqitje të mira në skenën europian, si dhe në kampionatin e ri futbollistik në Maqedoni” – u shpreh presidenti i Rabotniçkit, Dragan Popovski.
Jovanovski drejtimin e Rabotniçkit morri pas javës së 25-të, kur në postin e trajnerit zëvendësoi Goran Sstankovskin, ndërsa në 11 javë arriti që të tubojë 23 pikë, duke u renditur në fund në pozitën e tretë me plotë 52 pikë.