Duka: I lumtur për suksesin e Kosovës, si të ishte Shqipëria

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, që e quajti përballjen e djeshme mes Shqipërisë dhe Kosovës si një ëndërr të kahershme.

Nëpërmjet një shkrimi në faqen zyrtare të FSHF-së, Duka tregon se është i lumtur për suksesin e Kosovës si të ishte Shqipëria.  Presidenti i FSHF-së sqaron se nuk ka vend për t’i hedhur benzinë një “zjarri” që nuk ekziston aspak.

JA REAGIMI I PLOTË I DUKËS:

Të nderuar dashamirës të Futbollit, shqiptar kudo ku ndodheni!

Mbrëmë ishte një ditë e madhe për shqiptarët kudo që ndodhen: realizuam një ëndërr të kahershme, miqësoren e zyrtarizuar mes dy ekipeve të një gjaku Kosovë-Shqipëri. Qe një ditë e madhe për shqiptarët kudo që jetojnë, por nuk mund ta mohoj që ishte një dite e errët për kombëtaren tonë. Por, ndodh në futboll, ka edhe ditë si kjo, megjithëse askush nuk i dëshiron. Unë uroj dhe besoj shumë që skuadra, stafi dhe të gjithë ne,  do të dijmë që ta lexojmë këtë paraqitje të keqe sportive.

Kjo skuadër ka shumë e më shumë potencial dhe uroj që këtë ta tregojë menjëherë që në ndeshjen e radhës me Ukrainën. Kosova luajti më mirë se ne, dhe për këtë unë i përgëzoj dhe nuk kam pse ta fsheh që jam i lumtur për suksesin e këtij ekipi, si të ishte Shqipëria. I uroj nga zemra shumë suksese ekipit të Kosovës në të ardhmen e tij.

Nga ana tjetër, e kam jo pak të vështirë të kuptoj, të besoj, e jo vetëm unë, por edhe shumë nga qytetarët e paindoktrinuar dhe pa paragjykime në të dyja anët e kufirit, se si një ndeshje miqësore vëllezërish, të bëhet shkak për anatemime, negativitet dhe baltë nga disa të pa udhë , të cilët kërkojnë me cdo kusht të bëhen “protagonistë” të neveritshëm duke menduar se po i hedhin benzinë një “zjarri” që nuk ekziston aspak. Shqipëria dhe Kosova luajtën thjesht një ndeshje sportive.

Kombëtarja e Shqipërise ka qenë e hapur për futbollistët e të gjitha trevave shqiptare. Ne kemi patur nevojë për futbollistë cilësorë, dhe ata kanë pasur dëshirë që të shprehin cilësitë e tyre, dhe njëherësh të japin kontributet e veta në të vetmin ekip shqiptar.

Të gjithë bashkë kemi bërë krenarë çdo shqiptar në çdo cep të globit , me vepra e jo me lehje. Ne kemi lobuar me pasion dhe me fanatizëm që Kosova të ketë këtë Federatë që ka edhe sot. Ndaj, një miqësore midis vëllezërish, me çfarëdo rezultati, duhet të na gëzojë të gjithëve më shumë.

Kjo është e gjitha, ishte thjesht një miqësore: autokritikë Shqipëria, dhe urime Kosova. Për të tjerat e kam të pamundur të futem në debate me analistë politikë, apo edhe ish-presidentë, që brenda 24 orësh gdhihen trajnerë futbolli, këndej dhe andej kufirit.

Gëzuar shqiptarë kudo që ndodheni!

Leave a Reply