FC Shkupi këtë vit do të prezantojë vendin tonë në ndeshjet eliminatore të Liga Europa. Do të jetë kjo hera e parë pas plotë 14 viteve që skuadra nga Çairi do të bëjë gara në arenën ndërkombëtare, ndërsa me qëllim që skuadra të prezantohet më denjësisht, drejtuesit e FC Shkupit po punojnë me një intensitet shumë të lartë edhe në përforcimin e skuadrës.
Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit e skuadrës “bardhekaltër” nga Çairi janë në bisedime e sipër me homologët e tyre të Skënderbeut, për transferimin e super sulmuesit nigerian, Xhejms Adeni.
Bëhet fjalë për një sulmues krahu, i cili cilësitë e tij i ka treguar edhe me Skënderbeun si në kampionatin shqiptarë, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mirëpo duke pasur parasysh se skuadra korçare për shkak dënimit 10-vjeçar nga UEFA nuk do të jetë në gjendje për të luajtur në Europë, edhe përkundër faktit se sezonin e sapo mbyllur në Shqipëri fitoi të dy titujt (titullin kampion dhe Kupën), atëherë mundësitë që Adeni të zbarkojë në Çair mund të bëhen edhe realitet, kjo edhe për miqësinë e ngushtë mes klubeve në fjalë.
Adeni sezonin e kaluar me Skënderbeun zhvilloi gjithsej 45 ndeshje, duke realizuar 12 gola, 10 prej të cilëve në Superligën shqiptare.