Mbrojtësi i krahut të majtë Xhelil Abdulla, me përfundimin e sezonit aktual në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, mbylli aventurën e tij te Renova.
Ai pjesë e kësaj skuadre ishte për dy vite e gjysmë, ndërsa me shumë gjasa karrierën e tij sërish do ta vazhdojë jashtë vendit, njofton “infOSport.mk”.
26-vjeçari nga Tetova skuadrës nga Xhepçishti iu bashkua janarin e vitit 2016-të, kur erdhi nga rradhët e Shkëndijës, te e cila skuadër kishte kaluar edhe grupmoshat e reja.
Për shërbimet e Abdulla interes kishte edhe në merkaton e janarit, mirëpo për shkak të kontratës që kishte me Renovën, ai mbeti edhe për këto 5 muaj pjesë e tyre. Tashmë kur është një futbollistë i lirë, ofertat sërish nuk mungojnë.
Burime të “infOSport.mk”, thonë se gjatë janarit ishin tre skuadra nga Shqipëria që dëshironin të transferonin mbrojtësin e krahut të majtë, për shërbimet e të cilit gjithashtu intersohej edhe skuadra turke e Boluspor. Mbetet të shihet nëse sërish ndonjëra prej këtyre skuadrave do të kontaktoj futbollistin tetovar, i cili me shumë gjasa karrierën e tij do ta vazhdojë sërish jashtë Maqedonisë.
Rikujtojmë në vitin 2011-të, pasi ishte shpallur kampion me Shkëndijën, ai ishte transferuar te skuadra De Grafshap në elitën e futbollit holandez, që pas një viti të bëjë një hap para në karrierë, duke nënshkruar me skuadrën e njohur gjermane të Duisburgut. Pas aventurës një vjeçare, ai u rikthye sërish në Maqedoni, duke veshur fanellat e EuroMilkut, Shkëndijës dhe së fundmi Renovës, për të cilën skuadër brenda dy viteve e gjysmë regjistroi 46 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.