Drejtuesit e FC Shkupit të kënaqur nga ajo që dhanë futbollistët e saj gjatë sezonit të sapo përfunduar në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, kanë filluar punën e tyre rreth kontratave të reja, apo ndoshta edhe aktivizimeve të reja në skuadër. Në mungesë të ndonjë emri të ri, drejtuesit e skuadrës nga Çairi përmes faqes së tyre zyrtare kanë bërë të ditur se kanë vazhduar kontratat me plotë 5 futbollistë, transmeton “infOSport.mk”.
Fjala është për kapitenin Suat Zendeli, sulmuesit Bazhe Ilijoski dhe Alen Jasharoski si dhe për dy mesfushorët difenziv, Muharem Bajrami dhe Bllagoja Ljamçevski.
“Sapo kemi përfunduar bisedimet me futbollistët e lartpërmendur dhe tani edhe publikisht dëshiroj t’u dëshiroj të kenë shëndet dhe suksese edhe me të mëdha sezonin që vjen. Ne e kemi vlerësuar se ata tani më janë një ekip që mirë e kanë mësuar njëri-tjetrin dhe munden edhe më shumë të japin për Shkupin. Me pjesën tjetër të futbolluistëve janë disa detaje të vogla, që shpresojmë shumë shpejt do të mbyllen pozitivisht dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe me ta”, është shprehur drejtori sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku, i cili pohoi se ditëve në vazhdim skuadra do të punojë edhe në rinovimin e kontratave me disa nga futbollistë tjerë, siç janë Kristijan Stojkoski, Stefan Vujçiç, Ermedin Adem, Edis Maliqi dhe Bunjamin Shabani.