Piloti australian i Red Bull, Daniel Rikiardo do të nisë garën për çmimin e madh të Monakos nga vendi i parë, pasi doli të jetë më i shpejtë në provat zyrtare, madje duke vendosur një kohë rekord për pistën e Principatës.
1 minutë 10 sekonda e 810 të mijtat ishte koha e regjistruar nga Rikiardo, i cili la pas vetes pilotin e Ferarit, Sebastian Fetel me 229 të mijtat kohë ngecje, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua kampioni i botës Luis Hamilton i ndjekur nga ferraristi tjetër Kimi Raikkonen që në fund u ndal në pozitën e katërt.
Valeri Botas do të niset nga vendi i pestë, pasi la pas vetes ngasësit si Ocon, Alonso, Sainz, Perez e Gasly, të cilët mbyllën TOP10-shin, teksa shoku i skuadrës së fituesit Rikiardo, Marko Verstapen, nuk mundi të marrë pjesë në provat kualifikuese për shkak të një aksidenti të pësuar në provat e treta të lira që do të thotë se holandezi garën e nesërme në Monako do ta nisë garën nga pozita e fundit.