Sonte në mbrëmje do të mësojmë emrin e ri të “mbretëreshës” së re të Europës në futboll. Është Reali i Madridit në njërën anë që kërkon trofeun e tretë radhazi dhe nga ana tjetër është Liverpulli, që rikthehet në një finale të Ligës së Kampionëve që prej vitit 2007, kur ishte mposhtur nga Milani me rezultatin 2:0.
Deri më tani janë zhvilluar gjithsej 62 finale, ku në total e kanë fituar skuadra nga 13 shtete të ndryshme.
Liga që ka më shumë trofe është padyshim Spanja me Realin që ka 12 trofe dhe Barcelonën 5. Më pas vjen “Serie A” me 12 tituj dhe Milanin që kryeson me 7 tituj. Po 12 trofe kanë edhe skuadrat nga Premierliga, që sonte kanë rastin të dalin në vend të dytë në renditjen e përjetshme, gjithnjë nëse Liverpulli mund Realin e Madridit. Mirëpo në rast se ndodh e kundërta, atëherë Reali i Madridit mund të lëvdërohet si skuadra që ka më shumë tituj e vetme se sa Premierliga apo edhe Serie A, dy kampionate këto që lënë pas vetes atë të Gjermanisë me 7 tituj, Holandës me 6-të, Portugalisë me katër, si dhe Francës, Rumanisë, Skocisë dhe ish Jugosllavisë, që kanë nga një trofe të fituar.
Ndërkohë Belgjika, Greqia dhe Suedia janë shtetet, skuadrat e të cilave kanë luajtur nga një herë në finale, por që nuk kanë arritur të triumfojnë.