44 gola në këtë sezon, 10 prej të cilëve në Ligën e Kampionëve për Mohamed Sallah, i cili ishte një lider i vërtetë i skuadrës së Liverpullit në fazën e deritanishme të këtij kompeticioni, i cili nesër mbrëma do të na jap edhe emrin e kampionit të ri.
Një fitore eventuale e Liverpullt ndaj Real Madridit do të ishte “qershia mbi tortë” për sezonin e artë të Mohamed Sallah, i cili në prag të këtij takimi shumë të rëndësishëm kishte folur për sajtin zyrtarë të UEFA-s.
“Të luash në finalen e Çempions është një ëndërr që bëhet realitet dhe ta fitosh do të ishte një arritje e jashtëzakonshme, Real Madrid ka shumë përvojë, por është një ndeshje finale dhe e kaluara nuk ka të bëj. Luajmë 11 kundër 11, te Liverpull jemi të gjithë shokë dhe Klop është shok me të gjithë ne.”– tha egjiptiani për UEFA.com.
“Nuk e di se çfarë do të thotë të fitosh Ligën e Kampionëve, sepse tjetër gjë është të luash në finale dhe tjetër gjë është ta fitosh. Do të ishte arritja më e madhe. Të gjithë janë entuziast. Mbaj mend që dy vjet më parë isha në Egjipt me pushime dhe atje të gjithë po shikonin finalen e Ligës së Kampionëve dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme, edhe pse ajo ndeshje nuk kishte të bënte fare me ta,” – vazhdoi Sallah.
Në lidhje me golat e tij, të cilët kanë qenë mbi çdo parashikim në këtë sezon, sulmuesi i ardhur nga Roma, shtoi: “Puna e fortë në stërvitje ka qenë çelsi i gjithçkaje. Kryesorja është që të qëndrojë në këto nivele edhe vitin e ardhshëm. Tani po mendoj vetëm për finalen e madhe. Në Romë bëra dy sezone me nivel dhe nisa të besoja te vetja ime. Kërkova të shkoja në Angli sepse e dija që do të isha i suksesshëm dhe fatmirësisht ia dola në sezonin e parë.”
Sallah gjithashtu mund të bazohet edhe te forma e mirë e kolegëve në sulm, Firmino dhe Mane: “Kryesorja për ne është të ndihmojmë skuadrën të fitojë, ka pak rëndësi se cili shënon, kryesorja është që në fund të marrim kupën. Mentaliteti ynë është një për të gjithë, të gjithë për një. Unë kam bërë dhjetë gola në Çempions, Mane nëntë gola, Firmino dhjetë. Kjo tregon se kemi merita të barabarta në rrugën drejt suksesit.”
Teksa thotë se momenti i tij i preferuar në këtë sezon ka qenë goli në fushën e Mançester Sitit, sulmuesi afrikan zbuloi edhe futbollistët e tij që ka preferuar që nga koha e fëmijërisë: “Totti, braziliani Ronaldo dhe Zidane. Këta tre ishin krejtësisht ndryshe nga të tjerët në mënyrën si luanin futboll.”