Finalet e njëpasnjëshme, Shkëndija si Rabotniçki, mirëpo askush si Slloga Jugomagnati (FC Shkupi)

Shkëndija të mërkurën në mbrëmje zhvilloi finalen e tretë një pasnjëshme në kuadër të Kupës së Maqedonisë, ku arriti që të triumfojë edhe për herë të dytë, pasi mposhti Pelisterin me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja më e thellë e Shkëndijës në një ndeshje finale, pasi herën e parë “kuqezinjtë” nga Tetova në finalen e vitit 2016-të, të zhvilluar në arenën “Filipi i Dytë” falë golave të shënuar nga Radeski dhe Zhunior kishin mundur Rabotniçkin me rezultatin 2:0. Ata dështuan vitin e kaluar për të mundur Pelisterin edhe pse ishin favoritë absolut, ndërsa rikujtojmë se në dy finalet e mëhershme, fillimisht në vitin 2006 dhe më pas edhe në vitin 2013-të, “kuqezinjtë” nga Tetova ishin mundur nga Makedonija Gj.P, gjegjësisht Teteksi.

Me finalen e mbrëmshme Shkëndija bëhet skuadra e dytë pas Rabotniçkit që luan në tre finale të njëpasnjëshme, me “romantikët” që një gjë të tillë kanë bërë në dy periudha të ndryshme. Fillimisht ata luajtën në finale në vitet 2008, 2009 dhe 2010, për të përsëritur një gjë të tillë edhe në vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Megjithatë kur janë në pyetje finalet e njëpasnjëshme të arritura nga një skuadër, këtu kampion i vërtetë është ish Slloga Jugomagnati, tashmë FC Shkupi, skuadër kjo e cila kishte luajtur një 6 finale të njëpasnjëshme (1996-2001), transmeton “infOSport.mk”.

Megjithatë në gjithë këto vite të ndeshjeve finale, skuadra nga Çairi kishte arritur që të triumfojë në vetëm dy prej tyre, edhe atë fillimisht në vitin 1996 kur kishte ndalur hovin e Vardarit të fuqishëm dhe më pas në vitin 2000 kur kishte shënuar edhe fitoren më të lartë në historikun e ndeshjeve finale të Kupës, duke mundur Pobedën me rezultatin 6:0.

Leave a Reply