Ajo çka përflitej, sot u bë edhe zyrtare. Strategu italian Karlo Ançeloti është trajneri i ri i Napolit, me të cilën skuadër ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare.
Mbrëmjen e djeshme, Ançeloti pati një takim me presidentin e Napolit, De Laurentis, ku për tri orë u diskutua mundësia që ish-trajneri i Bajernit të Munihut, të merrte drejtimin e “napolitanëve”.
“Klubi i Napolit njofton se është arritur akordi me trajnerin Karlo Ançeloti. Ai ka firmosur një kontratë 3-vjeçare”, shkruhet në komunikatën për shtyp të klubit napolitan.
Ançeloti do të përfitojë 6,5 milionë euro në vit, ndërsa në stafin e tij, do të marrë djalin e tij Davide dhe dhëndërrin, Mino Fulco.
“Jam i nderuar që do të drejtoj skuadrën e një qyteti unik që ka një tifozëri të mrekullueshme”, tha Ançeloti pas firmës në videon e postuar në faqen zyrtare të Napolit në “Facebook”.
Kësisoj Ançeloti rikthehet në Itali pas plotë 9 viteve, pasi për herë të fundit drejtonte Milanin, teksa në “Serie A” gjithashtu ka drejtuar edhe skuadrat e Juventusit dhe Parmës. Ndërkohë sa i përket aventurës së tij në Europë, ai përveç ekipit “bavarez” kishte drejtuar edhe Çelzin, Paris Sen Zhermenin dhe Realin e Madridit.