Pasi që pjesa më e madhe e futbollistëve të ekipit të parë të FC Shkupit nga dita e hënë janë në pushim, trajneri Zekirja Ramadani do të vazhdojë me punën e vetë, për të parë më afër potencialin e futbollistëve të rinj, të moshave të reja të skuadrës nga Çairi.
Qëllimi i trajnerit Ramadani është të njoh potencialin e vërtetë të futbollistëve të rinj, me të cilët dalëngadalë do të ndërtohet e ardhmja e FC Shkupit, një gjë të cilën e pretendojnë edhe drejtuesit e klubit, kur shpalosën pretendimet e tyre në fillim të këtij viti.
Në një sfidë të tillë, gjatë ditës së sotme në stadiumin e Çairit me fillim në ora 16:00, do të jenë të involvuar futbollistët që janë të lindur në vitet 1999, 2000 dhe 2001, përfshirë këtu edhe Altin Sefo, Besir Ramadani, Suhel Muharemi dhe portierët Nuhi Jonuzi dhe Ruzhdi Ameti, të cilët nuk kishin hapësirë të mjaftueshme në sezonin e posambyllur.
Trajneri Ramadani do të insistojë që të ketë më shumë ndeshje të këtij lloji, përmes të cilave do të sheh talentët që ka në dispozicion dhe ecurinë e tyre.
Zekirja Ramadani premtoi se do të jetë gjithmonë në këto takime, natyrisht kur të ketë kohë të lirë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e zhvillimit të një ndeshje miqësore deri në fund të kësaj jave.