Ish-futbollisti i Shkëndijës dhe FC Shkupit Arben Nuhiu mbrëmë në emisionin “Sportmania” në TV Shenja foli për kualifikimin eventual të skuadrës së FC Shkupit në eliminatoret e Liga Europës dhe pritjet nga takimi final i Kupës së Maqedonisë ndërjmet Shkëndijës dhe Pelisterit.
Nuhiu tha se në një ndeshje finale nuk ka favorit dhe se ka pasur shumë raste ku nuk ka fituar ekipi më i fortë.
“Gjatë gjithë emisionit kemi folur se Shkupi do të luajë në Europë. Prapë se prapë, duhet të luhet ajo ndeshje. Mos të harrojmë se një finale nuk ka favorit. Ka shumë raste ku nuk ka fituar më i forti”, – tha Nuhiu.
Sa i takon ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit, ai tha se skuadra e Qatip Osmanit është favorit absolut për të fituar takimin, teksa në anën tjetër theksoi se përballja e ekipit që renditet në vendin e parë, me atë që mban vendin e fundit gjithmonë është problematike.
“Shkëndija absolutisht është shumë më e fortë dhe nuk disktutohet kjo gjë, ajo është një rang shumë më e fortë. Vendi i parë më të fundit gjithmonë është problematik”, ka thënë Nuhiu në Sportmania.
Rikujtojmë ndeshja e madhe finale e Kupës së Maqedonisë midis Shkëndijës dhe Pelisterit zhvillohet të mërkurën (23 maj) në stadumin “Mladost” në Strumicë me fillim në ora 20:00.