Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të bojkotojnë ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ndërmerr hapa për të mbrojtur civilët sirianë.
Kampionati nis muajin e ardhshëm.
Rusia, e cila është nikoqire e tij për herë të parë, është mbështetëse e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, në luftën civile të këtij vendi.
Human Rights Watch tha se përgjegjësia e Moskës për vuajtjet e civilëve sirianë nuk duhet të neglizhohet.
“Me organizimin e njërës prej ngjarjeve më të shikuara televizive në botë, Rusia ballafaqohet me opinionin publik dhe kërkon respekt”, tha drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch, Kenneth Roth.
Ai tha se udhëheqësit botërorë “duhet t’ia bëjnë me dije Putinit se nëse ai nuk e ndryshon rrugën dhe nuk vepron për t’iu dhënë fund mizorive nga focat ruse dhe siriane në Siri, ata nuk do të jenë në ulëset e tyre në natën e hapjes së Kampionatit”.
Kampionati Botëroror i Futbollit pritet të shihet në televizion nga miliarda njerëz në mbarë botën. (REL)