Ferhan Hasani në fund të sezonit mund të largohet nga Shkëndija. Kontrata aktuale e kapitenit “kuq e zi” skadon me 30 qershor të këtij viti, ndërsa me shumë gjasa të njëjtën nuk do ta vazhdojë, pasi në adresë të tij kanë arritur disa oferta joshëse, kryesisht nga Superliga turke, ku përmenden emrat e skuadrave si Galatasaraj dhe Bursaspor. I mundshëm gjithashtu është edhe një rikthim te ish skuadra e tij, Brondbi, nga e cila skuadër në vitin 2015 u transferua te Shkëndija.
Brenda periudhës 3-vjeçare te Shkëndija, Hasani u shndërrua në një simbol, duke qenë një ndër futbollistët më të dalluar, ndërsa eksperienca e tij ndërkombëtare erdhi në shprehje që të fillim, kur Shkëndija me Hasanin që në sezonin e tij të parë me fanellën “kuqezi” triumfoi në kuadër të Kupës së Maqedonisë, kur në finalen e madhe mundën Rabotniçkin me rezultatin 2:0, për të ardhur tani edhe torta mbi qershi, titulli kampion.
Megjithatë deklarata e Hasanit të dielën në “Supersport”, “mua më përfundon kontrata me Shkëndijën, dhe nuk dihet ende nëse do jem për ndeshjet europiane”, ka lënë një pikpyetje të madhe, ndërsa zërat për një largim të tij të mundshëm nga Shkëndija, po shtohen gjithnjë e më shumë.
Mbetet të shihet nëse Hasani pas 3 viteve të mëdha si kapiten i Shkëndijës do të largohet nga ky mjedis, apo ndoshta do të shkojnë në vend fjalët e presidentit Bexheti, i cili gjithashtu në një intervistë për “Supersport” tha se nuk do të ketë largime nga futbollistët aktual.