Biletat e Kupës në shqip 100 denarë, në maqedonisht 150 denarë! (FOTO)

Federata e Futbollit të Maqedonisë si organizatorë i ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë, prej dje ka nxjerrë në shitje biletat për gjithë ata tifoz të interesuar, që për së afërmi dëshirojnë të shohin përballjen mes kampionëve të ri të Maqedonisë, Shkëndijës dhe skuadrës së Pelisterit, që nga sezoni i ardhshëm do të garojë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Ajo që bie në sy është fakti se në sajtin zyrtarë të FFM-së, versioni në gjuhën shqipe biletat kushtojnë 100 denarë, teksa në po të njëjtin sajt, versioni në gjuhën maqedone, të njëjtat kanë çmimin e 150 denarëve. Me këtë është krijuar një huti, e cila besojmë se së shpejti do të zgjidhet dhe se gjithë ata të interesuar me bileta në duar do të shohin ndeshjen e së mërkurës që do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë.

Njëherit kjo do të jetë një reprizë e finales së vitit të kaluar, kur po në të njëjtin vend Shkëndija dhe Pelisteri u ndeshën në garën për trofeun e Kupës.

Edhe pse Shkëndija edhe vitin e kaluar ishte favorit ndaj skuadrës nga Manastiri, në fund ishte Pelisteri që triumfoi falë ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me barazimin pa gola. Bazuar në rezultatet e këtyre dy skuadrave gjatë sezonit aktual në ndeshjet kampionale, shpresojmë të shohim gola me bollëk, ku mbetet të shihet nëse do të jenë që të gjithë në njërën rrjetë, apo ndoshta edhe në të dyja rrjetat.

Ndryshe për të gjithë ata të interesuar për biletat e kësaj ndeshje, të njëjtat tanimë janë në treg përmes distributerit zyrtar të Federatës së futbollit të Maqedonisë, MkTickets.

Biletat për finalen e Kupës së Maqedonisë do të mund të gjenden gjithashtu edhe në këto lokacione: TA Ana Turs-Manastir, Tobako Monako-Tetovë, Kafe bar Koncept- Strumicë.

Rikujtojmë ndeshja finale Shkëndija – Pelisteri që në program është me datë 23 maj në stadiumin “Mladost” në Strumicë do të startojë në ora 20:00.

Leave a Reply