Presidenti i Shkëndijës, Visar Bexheti në një prononcim për “Supersport” ka qetësuar tifozët “kuqezi” duke pohuar se ata do të bëjnë çmos për të mbajtur këta futbollistë në rradhët e veta, dhe duke përforcuar skuadrën me ndonjë emër të fuqishëm, njofton “infOSport.mk”.
“Ne do të insistojmë që gjithë këta futbollistë të jenë edhe më tej pjesë e klubit, besoj se do arrijmë ti mbajmë gjithë këta futbollistë dhe plus ndonjë emër tjetër të angazhojmë” – tha fillimisht Bexheti.
Ai tha se janë duke analizuar disa emra, ashtu që shumë shpejtë do të dalin me emra të rinj, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që te Shkëndija të sjellin edhe ndonjë futbollistë nga përfaqësuesja e Kosovës, apo edhe ajo e Shqipërisë.
“Jemi duke i analizuar disa emra, ashtu që së shpejti do ti shpalosim ata. Ne si Shkëndijë duam ti kemi futbollistët më të mirë shqiptarë, ashtu që nuk përjashtojmë mundësinë që të angazhojmë edhe ndonjë futbollistë të përfaqësueses së Kosovës dhe Shqipërisë” – u shpreh Bexheti.
Shkëndija sot festoi titullin e dytë kampion në Maqedoni, ndërsa ky titull pa dyshim se ishte më i ëmbël, duke pasur parasysh se “kuqezinjtë” dominuan në tërësi kampionatin e sivjem, ndërsa më së miri për atë flasin edhe shifrat, plotë 91 pikë, 101 gola të shënuar dhe 35 pikë dallim nga vendi i dytë që mbahet nga Vardari.