E ardhmja e Mërgim Mavraj është larg Hamburgut e Gjermanisë, por me sa duket edhe larg Europës. Mbrojtësi ka marrë një ofertë tunduese nga një skuadër në Arabinë Saudite, për të vazhduar karrierën në kampionatin e këtij vendi.
Vip Sport ka mësuar se prej disa ditësh, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është në bisedime me klubin Al-Ettifaq FC, për të vazhduar atje karrierën e tij. Bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe brenda pak ditësh, mbrojtësi i cili këto ditë gjendet në Kosovë, mund të finalizojë një marrëveshje me këtë klub.
Al-Ettifaq është një skuadër e cila dikur ishte ndër më të njohurat në Arabinë Saudite, duke fituar trofetë më të rëndësishëm në vend e rajon, por prej rreth 2 dekadash nuk ka mbyllur sezonin me trofe. Por klubi që mbylli kampionatin në vendin e katërt, kërkon të kthehet te lavdia e dikurshme dhe Mavraj bën pjesë në planin për përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.
Me situatën që kaloi te Hamburgu, Mavraj e ka thuajse të pamundur që të gjejë një skuadër në elitën e futbollit gjerman. Ndaj mbrojtësi 31-vjeçar po kërkon një eksperiencë të re për herë të parë në karrierën e tij jashtë Gjermanisë, ku aspekti financiar do të ketë rëndësi pasi mendohet se është kontrata e fundit afatgjatë që do të nënshkruajë. Pritet që Hamburgu të kërkojë një shifër modeste për ta lënë të lirë lojtarin i cili është jashtë planeve të klubit edhe në Bundesligën 2. (vipsport.al)