Ajo që pritej dhe u përfol prej kohësh, ka rezultuar një e vërtetë e hidhur për lacialët që kanë shpërthyer në lot pas takimit me Interit. Zikaltërit janë zyrtarisht pjesë e “Champions League” në sezonin e ardhshëm, por për këtë duhet të falenderojnë mbrojtësin e Lacios, që në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e tyre, De Vraj. Holandezi i ka dhuruar një penallti të panevojshme Ikardit, duke i futur në lojë miqtë, përpara se Vecino të realizonte golin e përmbysjes.
Fillimisht ishin lacialët që kanë kaluar në avantazh falë autogolit të çuditshëm të Perisiç, teksa pas një gjuajtje të Marusiç, topi ka prekur fytyrën e futbollistët të Interit dhe ka shkuar në rrjetë. Avantazhi i skuadrës së Inzagit ka zgjatur për 20 minuta, pasi D’Ambrosio ka barazuar shifrat edhe pse Strakosha ka kërkuar anulimin e golit për një faull ndaj tij. Megjithatë do të ishte Anderson që do të rikthente në avantazh Lacion, duke finalizuar një kundërsulm të bukur të skuadrës së tij dhe duke mos i lënë mundësinë e reagimit portierit Handanoviç.
Ikardi ka arritur të barazojë shifrat nga pika e bardhë në minutën e 78-të, përpara se Vecino të realizonte përmbysjen e çmendur duke mposhtur me kokë Strakoshën. Ndërkohë përpara golit të tretë të shënuar nga zikaltërit, Luliç kishte dalë nga fusha e lojës me karton të kuq. Në fund është ekipi i Spaletit që feston këtë fitore të jashtëzakonshme, ndërsa në kampin kundërshtar e kanë me “tradhëtarin”.