Real Madridi sezonin 2017/2018 e mbylli në vend të tretë dhe me barazim 2:2 në fushën e Viljarealit. Për skuadrën e Zinedin Zidan, ky rezultat nuk ishte shqetësues, pasi me finalen e Ligës së Kampioneve përpara, ishte e natyrshme që fokusi të mos ishte te kjo ndeshje që u zhvillua sonte në “El Madrigal”.
Garet Bejll (11’) dhe Kristiano Ronaldo (32’) i dhanë avantazhin e dyfishtë Realit, dhe kur mendohej se “mbretërit” do të arrijnë një fitore të lehtë, ashtu nuk menduan edhe vendasit, të cilët fillimisht në minutën e 70-të me anë të Martinez ngushtuan epërsinë e skuadrës së Zinedin Zidan, teksa 5 minuta para fundit të takimit Kastileho arriti që të barazojë rezultatin në 2:2, rezultat ky që në fund doli të jetë edhe përfundimtarë.
E veçanta e kësaj ndeshje ishte se në portën e skuadrës “madrilene” titullar ishte Luka Zidan, djali i trajnerit të Realit, i cili është që në moshë të vogël pjesë e akademisë së “mbretërve”.