Armando Sadiku duhet të bëjë përsëri gati valixhet, pasi me shumë mundësi në verë do t’i japë lamtumirën skuadrës së Levantes. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare nuk ka bindur stafin teknik dhe sipas mediave spanjolle, është zyrtarisht në shitje nga klubi i cili do të rikuperojë një pjesë të parave që ka shpenzuar për të, pasi nuk e cilëson pjesë të planeve për të ardhmen.
Sipas “Cadena Ser”, klubi kërkon një golashënues të mirëfilltë, gjë që nuk e ka gjetur te Sadiku, edhe pse u afrua në janar për të luajtur një rol të tillë në radhët e Levantes.
“Klubi nuk arriti të siguronte golashënuesin që i nevojitej, si në verë, ashtu edhe në janar. Stafi teknik dhe drejtuesit janë të një mendimi se në verë duhen blerë dy sulmues, të cilët do të plotësojnë Boateng dhe Marti. Problemi kryesor është si të zgjidhet e ardhmja e Armando Sadikut, për të cilin Levante pagoi 1,3 milionë euro në arkat e Legias së Varshavës pesë muaj më parë, me një kontratë prej 3 sezonesh, por që nuk ka bindur trajnerin Pako Lopez”, siguron portali i radios së famshme sportive spanjolle.
Kësisoj, Sadiku jo vetëm që është në shitje, por do t’i dihet të gjejë një klub i cili mund të shpenzojë një shifër të përafërt me 1,3 milionë eurot që u paguan për të në janar, pasi Levante kërkon të mos e mbyllë eksperiencën e tij me një bilanc negativ. Në të kundërt, ai do të mbetet pjesë e klubit, por vështirë se do të ketë hapësira për t’u aktivizuar. (vipsport.al)