I ardhur te Rabotniçki në janar të këtij viti nga Partizani i Tiranës, Gëzim Krasniqi mbërrin në “kufirin” të zgjedh mes ikjes apo qëndrimit. Futbollist kualitativ me tipare qendërmbrojtësi, por gjysëm standart te Rabotniçki.
Problemi nuk dihet, ndoshta ndërrimi i trajnerëve nga Goran Stankovski te Gjore Jovanovski bëri që Krasniqi të mbetet jashtë formacionit për disa ndeshje, ndërsa kah xhirot e fundit të kampionatit, shqiptari fitoi besimin e teknikut dhe tashmë po luan standart në formacionin startues.
Me një fjalë thënë e gjithë situata është rikthyer në favor të Krasniqit, mirëpo vet futbollisti si duket ka mbetur në dilemë, të qëndrojë apo të ikë pas mbylljes së sezonit. Ashtu siç mëson “InfOSport.mk”, për shërbimet e Krasniqit janë të interesuar shumë klube si nga vendi dhe jashtë tij, ndërsa çështja për lëvizje mbetet ende pezull.
Krasniqi me Rabotniçkin firmosi kontratë 5 mujore dhe me përfundimin e sezonit shqiptari mbetet futbollist i lirë. Qëndrimi i 28 vjeçarit te Rabotniçkit do të nvaret edhe nga ndeshja e fundit në kampionat që “romantikët” do ta luajnë përballë Skopjes, ndërsa janë në kërkim të fitores për të kapur garat evropiane./InfOSport.mk