Vazhdon interesimi nga skuadra të ndryshme për shërbimet e shkupjanit, Enis Bardhi. Pas super paraqitjeve me fanellën e Levantes në sezonin e tij debutues në La Liga, pas shërbimeve të 22-vjeçarit janë vënë shumë skuadra të ndryshme, ndërsa informacionet e fundit nga Spanja flasin se për të po interesohet edhe Betisi, skuadër kjo që sezonin e ardhshëm do të luaj në Liga Europa.
Pikërisht kjo ka bërë që drejtuesit e skuadrës andaluziane të mendojnë përforcimin e skuadrës, ndërsa në mesin e futbollistëve që bëjnë pjesë në planet e tyre, është edhe Bardhi, futbollist ky i cili me dy golat e tij të shënuar ndaj kampionëve të ri të Barcelonës, ngriti çmimin në tregun europian të futbollit edhe 4 fish të tjera. Levante për shërbimet e tij tashmë kërkon 25 milion euro, ndërsa çmimi i tij sipas transfermarkt aktualisht kap shifrën e 5 milion eurove.
Rikujtojmë ditë më parë “ESPN” shkruante se për shqiptarin nga Maqedonia interesohen edhe dy skuadrat gjigande europiane, Paris Sen Zhermeni dhe Interi.
Bardhi në sezonin e tij të parë në La Liga me Levanten e tij shënoi 9 gola, duke e ndihmuar skuadrën e tij për të siguruar mbijetesën.