Suat Zendeli do të vazhdojë të jetë aktiv në futbollin vendor të paktën edhe për tre vite. Një gjë të tillë për portalin tonë e konfirmoi vetë gardiani i FC Shkupit, i cili gjatë këtij edicioni ishte ndër lojtarët më standard te skuadra nga Çairi, që të dielën kundër Vardarit pritet ta prejë bletën e fundit për në ndeshjet e Liga Europa.
Zendeli gjatë këtij edicioni ka zhvilluar gjithsej 33 ndeshje, duke qenë absolutisht lojtari kampion kur janë në pyetje ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij edicioni, duke munguar vetëm në dy ndeshje (kundër Skopjes dhe Renovës).
Portieri shkupjan beson se të dielën do ja dalin të bëjnë një gjë të tillë dhe se në fund gjithë së bashku do realizojnë ëndërrën e madhe, për të rikthyer Shkupin në arenën ndërkombëtare, aty edhe ku kjo skuadër e ka vendin. Aktualisht Shkupi renditet në pozitën e katërt me 48 pikë, ashtu që tashmë fatin ka në duart e veta. Me fitore ndaj Vardarit Shkupi do të siguronte të paktën pozitën e katërt, ndërsa me një gabim të Rabotniçkit ndaj Skopjes, “pëllumbat” nga Çairi do shihnin veten edhe në pozitën e tretë dhe pa asnjë problem do të ishin pjesë e ndeshjeve eliminatore të Liga Europa.
Ndërkohë me sigurimin e pozitës së katërt FC Shkupi do të bëjë tifo për Shkëndijën, që në finalen e madhe të Kupës të mund Pelisterin.