Shkëndija fitoi Renovën në ndeshjen e parafundit të kampionatit vendor të vlefshme për xhiron e 35-të në LPFM, ndërsa trajneri Qatip Osmani është shprehur i kënaqur me fitoren, por edhe ka bërë apel që në ndeshjen e fundit të ketë sa më shumë përkrahës për ekipin e tij në festën për titullin e Kampionit.
“Jam i kënaqur me fitoren bindëse dhe urime lojtarëve për lojën që e treguan. Shkëndija do të vazhdojë si me ndeshjet e deritanishme. Statistikat jo që nuk na interesojnë, por nuk janë në plan të parë. Ashtu që Shkëndijës i mbesin edhe dy ndeshje me Pelisterin, njëra do të jetë në kampionat dhe tjetra në finale e Kupës dhe sigurisht se jemi optimist për t’i fituar të dyjat. Shfrytëzojë rastin që në ndeshjen e fundit të kampionatit, Shkëndija të ketë sa më shumë publik, pasi festojmë titullin e Kampionit”, ka thënë Osmani.
Shkëndija ndeshjen e fundit e luan të dielën me Pelisterin në Tetovë dhe pranon titullin e Kampionit.