Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, ashtu edhe do të ndodh. Xhanluixhi Bufon do ti jap fund aventurës së tij te Juventusi, skuadër këtë, të cilën nuk e tradhëtoi edhe në momentet më të vështira, kur kjo skuadër duheshe që të luaj në “Serie B”. Bufon një gjë të tillë e ka konfirmuar në një konferencë për media, ku bashkë me të i pranishëm ishte edhe presidenti Andrea Anjelli.
Kësisoj portieri legjendarë italian të shtunën do të luajë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.
“Desha të falënderoja presidentin, i cili përveç rolit të tij institucional tek Juventusi është me të vërtetë diçka më shumë për mua. Gjatë viteve, mendoj se kemi zhvilluar një raport unik të marrëdhënies miqësore”, tha fillimisht Bufon.
“E shtuna do të jetë ndeshja ime e fundit me Juventusin. Mendoj se është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund kësaj aventure të mrekullueshme dhe dua ta mbyllë me fitore, pasi ato janë me të vërtet të rëndësishme për mua. Ndeshja ndaj Veronas do të jetë e fundit për mua me këtë fanellë”, tha Bufon.
“Nuk doja të thosha lamtumirë si një futbollist me motor të fikur dhe për këtë jam krenar. Të shtunën do të luajë edhe një ndeshje, kjo është e vetmja gjë e sigurt. Anjelli e di se çfarë po më ndodh dhe është një këshilltar të cilin nuk dua ta humbas. Deri 15 ditë më parë ishte marrë vesh që do të hiqja dorë, por tani më kanë ardhur disa oferta dhe sfida stimuluese, si në fushë dhe jashtë saj. Propozimin më të rëndësishëm ma ka bërë Andrea, javën e ardhshme do të marr një vendim përfundimtar”, shtoi portieri italian.
Bufon pjesë e Juventusit është që nga korriku i vitit 2001, ndërsa brenda kësaj periudhe 17-vjeçare ka zhvilluar plotë 655 ndeshje, 33 prej të cilëve këtë edicion.