Sonte finalja e Liga Europa, Marseja kundër Atl. Madrid

Sonte në program është finalja e madhe e Liga Europa, ku mejdanin do të ndajnë skuadra franceze e Olimpikut të Marsejës dhe ajo spanjolle e Atletiko Madridit, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy këto ekipe përfaqësojnë dy klube me shumë emër në historinë e Kupave të Europës, sidoqoftë rruga e tyre ka qenë krejtësisht e ndryshme. “Jorganxhinjët” u pozicionuan në vendin e tretë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa skuadra nga “Velodrome” e nisi aventurën në mesin e muajit korrik, kur kaloi në turin e tretë eliminator skuadrën e Ostendes.

Natyrisht, duke parë ecurinë e deritanishme, “bardhekuqtë” konsiderohen favoritët e mëdhenj të këtij aktiviteti, mirëpo ndeshje të këtilla kur në pyetje është vetëm një përballje, çdoherë na kanë sjellë shumë paqartësi dhe emocione.

Kjo është finalja e dytë për Atletiko Madridin në Lion, pas asaj të vitit 1986-të, kur në finalen e Kupës së Kupave në “Stade de Gerland” u mundën 3:0 nga Dinamo e Kievit. Ndryshe dy skuadrat finalista janë përballur vetëm dy herë ndërmjet tyre, një dekadë më parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, me Atletikon që barazoi 0:0 në Velodrome dhe fitoi 2:1 në “Vincente Calderon”.

Finalja do të luhet në orën 20:45, në Stadiumin e ri “Parc Olympique Lyonnais” dhe do të drejtohet nga 45-vjeçari holandez, Bjorn Kuipers.

Leave a Reply