Në Lion, finalja do të luhet mes dy skuadrash që sigurisht janë të kundërta për histori dhe sidomos eksperiencë e grup, edhe pse statistikat flasin për vetëm një kryqëzim mes tyre në Champions
Gjithçka gati në Lion. Finalja e Europa League mes Marsejës dhe Atletiko Madridit, sigurisht, do të ndezë më shumë Francën, teksa është hera e parë që ndeshen që prej sfidës në Champions League, në grupe, sa i përket sezonit 2008-2009, kur spanjollët fituan dhe një ndeshje u nda në barazim. Për francezët bëhet fjalë për finalen e tretë në Kupën UEFA/Europa League pas atyre të humbura ndaj Parmës (1999) dhe Valencias (2004). Objektivi i francezëve është që të bëhen formacioni i parë në Ligue 1 që fiton një kompeticion evropian nga viti 1996, kur PSG mundi Rapid Vjenën dhe e bëri të sajën Kupën e Kupave.
Sakaq, për Diego Simeonen bëhet fjalë për finalen e katërt që kur është trajner i Atletiko Madridit: argjentinasi ka fituar në vitin 2012, duke mundur Atletik Bilbaon dhe duke humbur dy herë në finalen e Champions ndaj Real Madridit, në vitin 2014 dhe 2016.
Duke fituar, “Colchoneros” do të barazonin Seviljan që është me 3 trofe në Europa League. Nga fillimi i sezonit 2013-2014, skuadrat spanjolle kanë fituar 7 nga 8 kompeticionet evropiane totale. i vetmi përjashtim në Librin e Artë është Mançester Junajtidi, edicionin e shkuar në Europa League. Marseja, sakaq, ka fituar 4 nga 15 ndeshjet e zhvilluara kundër skuadrash spanjolle në kompeticionet evropiane (3 barazime dhe 8 humbje).
Kurioziteti – Sakaq, në përballjet e fundit mes këtyre dy ekipeve, në Europa, që janë precedentet e vetme, në fushë ka qenë edhe Lorik Cana, ish-kapiteni i Shqipërisë dhe Marsejës. Bëhet fjalë për Champions League 2008-2009. (Sportekspres)