Nuk ka mjaftuar as paraqitja fantastike e “Mbretit” LeBron Xhejms që Klivlendi ti shpëtojë disfatës së dytë nga po aq përballje ndaj Bostonit në serinë finale të Lindjes, njofton “infOSport.mk”.
Xhejms ishte i mahnitshëm duke realizuar një “triple double”: 42 pikë, 12 asite dhe 12 rikuperime, por në fund nuk arriti që të ndihmojë skuadrën e tij për ti ikur disfatës 107:94 nga Bostoni. Me këtë fitore “selltiksat” shkojnë me moralin e duhur në dy përballjet e radhës që do të zhvillohen në “Quicken Loans Arena” të Klivlendit.
Te Bostoni ra në sy loja ekipore, ku plotë 6 basketbollistë arritën shifrën dyshifore të pikëve. Broun (23), Rozier (18), Horford (15), Mark Moris (12), Smart (11) e Tatum (11), ishin basketbollistët që shënuan mbi 10 pikë, ndërsa në radhët e “kavaliersave”, përveç Xhejms me lojë të mirë u dallua edhe Kevin Love që shtoi 23 pikë, ndërsa Korver e mbylli takimin me vetëm 11 pikë.
Kësisoj finalistët e sezonit të kaluar do të kenë nevojë ndoshta për një forcë të mbinatyrshme për të përmbysur avantazhin e dyfishtë të serisë së “selltiksave”, edhe pse me “Mbretin” Xhejms gjithçka është e mundur.