Përballja e sontme finale midis Atletiko Madridit dhe Olimpikut të Marsejës, është edhe një përballje mes trajnerëve të shquar, Diego Simeone dhe Rudi Garsia.
Trajneri argjentinas Simeone e mori drejtimin e Atletiko Madridit në fundin e vitit 2011-të, për ta shndërruar shumë shpejt në një ekip tepër solid, që shquhet për forcën fizike dhe mbrojtjen hermetike, duke thyer vetëm pak vite më vonë hegjemoninë e gjigantëve Real – Barcelona në La Liha.
“Jorganxhinjët” priteshin në një finale të tillë që nga momenti i eliminimit nga Liga e Kampionëve, megjithatë shumë pak persona e kanë parashikuar që edhe Marseja e Rudi Garsias do të luaj në takimin përmbyllës të këtij kompeticioni.
Skuadra nga “Velodrome” e kaloi fazën e grupeve me vetëm katër gola të shënuar dhe për të mbërritur deri në finalen e Lionit, Marseja ka zhvilluar plot 18 ndeshje në këtë aktivitet, sidoqoftë merita kryesore i takon arkitektit Rudi Garsia, që riktheu besimin në skuadër, duke siguruar në këtë mënyrë finalen e pestë në historinë e klubit në Kupat e Europës.