Golden Stejt ka shënuar fitore 119:106 në transfertën ndaj Hjustonit në përballjen e parë të serisë finale në Konferencën e Perëndimit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe në NBA.
Ekipit vendas nuk i mjaftuan as 41 pikët e Xhejms Harden në këtë përballje, teksa në anën tjetër tek Golden Stejt shkëlqeu Kevin Durant me 37 pikë. Përveç tij një super paraqitje bëri edhe Klaj Tompson, që realizoi 28 pikë, teksa Stefan Keri u ndal në shifrën e 18 pikëve.
Pjesa e para u mbyll në ekulibër të plotë, me tabelën ekletronikë që tregonte të njëjtat shifra për të dyja skuadrat, 56:56.
Në fund të periodës së tretë “uarriorsat” krijuan një avantazh prej 7 pikësh 80:87, falë rezultatit të pjesshëm 31:24, diferencë që shkoi 16 pikë në fillim të periudhës së fundit, por që në fund u mbyll me triumfin e Golden Stejt me 13 pikë diferencë.
Me këtë sukses në parketin e Hjustonit, Golden Stejt ka fituar të paktën një ndeshje në transfertë në 18 sfidat e fundit të serisë në “play off”, një rekord ky për skuadrën kaliforniane, që është vetëm një fitore larg rekordit të të gjitha kohërave në NBA, e që mbahet nga Majami Hit.
Edhe ndeshja e dytë midis Hjuston Rokets dhe Golden Stejt Uarriors do të zhvillohet po në “Toyota Center” të Hjustonit.