Për yjet e një ekipi kampion asnjëherë nuk mungojnë si zërat, po ashtu edhe ofertat nga klube të tjera.
E për rastin e dyshes sulmuese të Juventus, Dybala dhe Higuain, nuk ka pasur përjashtim.
Para pak ditësh, dy argjentinasit që i dhuruan titullin e 7-të radhazi Juves, dolën në shitje nga zërat e merkatos, por ka qenë vetë Drejtori i Përgjithshëm i “bardhezinjve”, Xhuzepe Marota, i cili ka sqaruar edhe situatën e dy sulmuesve.
“A do të qëndrojnë me 100% edhe për sezonin e ardhshëm? Juventusi nuk është mësuar të shesë lojtarë, e bën një gjë të tillë vetëm nëse e kërkojnë vetë ata. E deri më sot nga Higuain dhe Dybala nuk ka pasur asnjë kërkesë të tillë”, ka deklaruar Marota për mediat italiane.
Juventusit mbrëmë i mjaftoi edhe një barazim pa gola në transfertën ndaj Romës në “Olimpiko” për tu shpallur edhe për të 7-tin vit me rradhë kampion i Italisë, edhe atë vetëm një xhiro para mbylljes së sezonit në “Serie A”, ku deri dje rival të denjtë për titull kishte te Napoli.