Juventus Serava sot në Gostivar do të zhvillojë ndeshjen finale të Kupës së Futsal, ku për kundërshtarë do të ketë ekipin e Gemixhi nga Velesi, njofton “infOSport.mk”. Është kjo hera e tretë që skuadra shkupjane do të luaj në një ndeshje kaq të rëndësishme, mirëpo hera e parë në të cilën “bardhezinjtë” kanë edhe rolin e favoritit.
Dyshja e talentuar e kësaj skuadre, Erkan Shabani – Jakup Ramadani, pa të cilët nuk mund të paramendohet loja e Juventus Seravës, njëzëri thonë se kësaj here Kupa do të ju takojë atyre.
“Kjo për mua do të jetë finalja e dytë që do luaj me Juventus Seravën, mirëpo hera e parë që pritet të luaj dhe ku do kem mundësinë ti tregojë aftësitë e mia personale. Jemi të gatshëm maksimalisht për këtë ndeshje, ku besojmë se në fund nga Gostivari do të rikthehemi me Kupën, e cila do të jetë e para në historikun e klubit tonë. Vërtetë ky klub, këta tifoz dhe lagjja e Seravës e meritojnë një gjë të tillë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Erkan Shabani.
“Jam i lumtur që do jem pjesë e finales, ndërsa edhe më i lumtur do isha nëse në fund do triumfonim ne dhe do sillnim Kupën në Seravë. Jemi përgatitur shumë kohë për këtë ndeshje, ndërsa nëse luajmë me qetësi dhe mirë të organizuar besoj fuqishëm në fitoren tonë” – tha Jakup Ramadani.
Rikujtojmë Juventus Serava në dy finalet paraprake (2014/2015, 2015/2016) ishte mundur nga kundërshtari i njëjtë, Zhelezareci, skuadër kjo e cila asaj kohe mbizotëronte me futsalin vendor.