Skuadrat e vetme kosovare që do të garojnë në kompeticionet e futbollit kontinental këtë verë do të jenë me të gjitha gjasat Drita dhe Prishtina. Edhe pse mbetet për t’u parë se çfarë do të dalë nga analiza e licencimeve në Federatën Kosovare të Futbollit, duket se do të jenë këto dy ekipe që do të provojnë emocionet ndërkombëtare.
Sipas burimeve pranë FFK, Vëllaznimi nuk i përmbush kushtet e licencimit, kjo i limiton në vetëm dy zgjedhje, klubet kosovare që garojnë në Europë, Drita dhe Prishtina. Kampioni i Kosovës, sipas sistemit të ri të garave të UEFA-s për periudhën 2018-2021, do të fillojë rrugën drejt Ligës së Kampionëve në fazën paraeliminatore. Kjo, sepse Kosova është e fundit në renditjen e federatave sipas koeficientit të UEFA-s.
Kampioni i Kosovës do të garojë me kampionin e San Marinos, Andorrës dhe Gjibraltarit dhe në rast se e kalon këtë rund do të marrë pjesë në rundin e parë të kualifikimeve. Ndeshjet e këtij raundi zhvillohen në formë turneu, në Gjibraltar.
Deri më tani si kundërshtar i mundshëm është konfirmuar Santa Coloma si kampion i Andorrës. Lincoln Red Imps, që pritet të shpallet kampion i Gjibraltarit ditët në vijim dhe kampioni i San Marinos, që ende nuk dihet, do të konfirmohen më vonë nga UEFA. Në Europa Ligë ku të drejtën e garimit, e ka fituesi i Kupës së Kosovës, gjërat janë edhe më të qarta.
Ekipi nga Kosova do jetë në paraeliminatore bashkë me 15 ekipe të tjera nga vendet se Malta, Uellsi, Ishujt Faroe, Gjibraltari, Lituania e Andorra. Këto ndeshje në kontrast me kampionët, do të jenë me sistem vajtje ardhje. (Top Channel)