Skuadra e Struga Trim Lum ndeshjen e javës së 26-të në Ligën e Dytë Perëndim kundër Teteksit si vendas do ta zhvillojë në Gostivar, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra strugane e cila protestoi ashpër ndaj arbitrit Josip Barton, pas arbitrimit të tij të dobët në ndeshjen ndaj Makedonija Gj.P, kur i njëjti vazhdoi ndeshjen për plotë 9 minuta, madje duke treguar penalti pikërisht në minutën e 9-të shtesë për mysafirët nga Shkupi.
E gjithë kjo situatë bëri që disa tifoz të tentojnë për të sulmuar arbitrin nga Tetova, ndërsa e gjithë kjo ishte regjistruar nga ana e delegatit të takimit, me ç’rast më pas FFM vendosi të suspendojë terenin e skuadrës strugane për shkak të organizimit të dobët.
Kësisoj Struga Trim Lum ndeshjen e saj të fundit të sezonit aktual në LDFM – Perëndim nuk do të mund ta zhvillojë në teren vendas, por të njëjtën do ta zhvillojë në Gostivar.
Skuadra strugane që me 42 pikë renditet në pozitën e katërt dhe pa asnjë gjasë për dy vendet e para, të shtunën do të luaj me Teteksin.